ARNO dhe „Asgjë e Re“ ishin pjesë e „Cirkularium“- it të parë image

ARNO dhe „Asgjë e Re“ ishin pjesë e „Cirkularium“- it të parë

Më 19 dhe 20 shtator 2026, ARNO mori pjesë në “Cirkularium”, një ngjarje e organizuar nga Skopje City Mall, me një stendë kushtuar Qendrës sonë për Riparime “Asgjë e Re”. “Cirkularium” u organizua për herë të parë me ambicien që të mbetet si platformë për bashkëpunim, shkëmbim dhe lidhje të të gjithë atyre që kontribuojnë në qëndrueshmëri: individë, dizajnerë, biznese dhe marka ekologjike, institucione arsimore, shoqata dhe organizata. Në “Cirkularium”, përveç stendës së ARNO-s dhe “Asgjë e Re”, morën pjesë edhe organizata dhe biznese të tjera nga fusha e ekonomisë qarkulluese: Loa Naturals – fituesit tanë të vitit të kaluar në konkursin “Ide të Gjelbra”, të cilët për herë të parë promovuan kremin për trup të bërë nga kafeja e përdorur; SIEC Macedonia me aksesorët e njohur të prodhuar nga banerë PVC të përdorur dhe tekstile të ripërdorura; Irina Tosheva me punimet artizanale të grave nga KPQ “Idrizovë”; detergjentët ekologjikë të Dançe Serafimovës; shumë dyqane të rrobave të përdorura etj.

ÇFARË OFROI STENDA E “ASGJË E RE”?

Vizitorët e stendës sonë patën mundësi të njihen me punën e deritanishme të qendrës, të mësojnë më shumë për planet e ardhshme dhe projektin e paralajmëruar IPA, por edhe të përjetojnë personalisht tri aktivitete praktike:

  1. Aktiviteti i parë ishte “depilimi” i rrobave: me një pajisje për heqjen e pushit nga rrobat hiqeshin fijet dhe kokrrizat nga pulovrat dhe bluzat, duke u rikthyer atyre pamjen e freskët. Aktiviteti u dëshmua veçanërisht i dobishëm për vizitorët që kishin ardhur nga stendat me rroba të përdorura, pasi shumë prej tyre kishin veshur pulovrën që sapo e kishin blerë në stendat e tjera dhe erdhën direkt tek ne për ta “freskuar” po atë ditë.
  2. Aktiviteti i dytë ishte hapja e një vrime në rrip. Një rrip i vjetër, të cilit i mungonte një vrimë, përsëri bëhej praktik për t’u përdorur – nuk bëhej fjalë për një pamje të re, por që objekti të bëhej sërish i përdorshëm, në vend që të përfundonte në mbeturina.
  3. Aktiviteti i tretë ishte një kuiz me pyetje nga fusha e ekonomisë qarkulluese dhe riparimeve, ku pjesëmarrësit me përgjigje të sakta fitonin dhurata: set baterish të rikarikueshme, çanta nga “Asgjë e Re”, set kaçavidash dhe set fijesh për qepje. Njëra nga pyetjet -“Çfarë përfaqëson termi ‘vjetërsimi i planifikuar’ (planned obsolescence)?” – la veçanërisht përshtypje të fortë. Pjesëmarrësit e njihnin termin, por nuk prisnin që kjo të zbatohej realisht në atë masë – shprehën pakënaqësi pasi mësuan se disa produkte prodhohen qëllimisht për të zgjatur më pak, në mënyrë që blerësi ta blejë sërish të njëjtin produkt. Veçanërisht gjeneratat më të vjetra na përcollën se në kohën e sotme të konsumizmit, cilësia dhe jetëgjatësia e një produkti po bëhen gjithnjë e më të rralla, në dallim nga koha kur pajisjet riparoheshin dhe përdoreshin për dekada. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte të përmirësonim njohuritë për ekonominë qarkulluese, por edhe të shihnim se sa të informuar janë qytetarët për këto tema.

PUNËTORI PRAKTIKE PËR PËRVETËSIMIN E AFTËSIVE

Para ngjarjes kryesore, qytetarët e interesuar patën mundësi të regjistroheshin në dy punëtori të specializuara:

Punëtori për riparimin e bizhuterive (dita 1): Nën drejtimin e filigranistes Katarina Doda, vizitorët mësuan se si të riparonin unazat e tyre që prej vitesh kishin qëndruar të harruara në sirtarë. Me durim dhe kujdes, disa prej pjesëmarrësve i drejtuan vetë unazat në një kon të posaçëm. Edhe pse kishte nisur me pritshmëri modeste, Katarina ishte e mahnitur nga energjia që kishte ndier tek të pranishmit. Tashmë po mendon se në cilat detaje do të fokusohet në punëtoritë e ardhshme.

Punëtori për diagnostikimin dhe riparimin e tharëseve të flokëve (dita 2): Mjeshtri Momçillo u tregoi të pranishmëve se shumica e pajisjeve që përfundojnë në mbeturina kanë defekte të thjeshta (më së shpeshti papastërti të grumbulluara). Edhe pse disa nga tharëset e sjella ishin të pariparueshme ose riparimi i tyre nuk ishte ekonomikisht i leverdishëm, në fund të punëtorisë u riparuan me sukses 2 tharëse flokësh.

Përshtypje nga terreni:

“Shumë nga vizitorët nuk e dinin se riciklimi është në fund të hierarkisë së menaxhimit të mbetjeve dhe se para tij vijnë reduktimi, ripërdorimi dhe riparimi.

Gjeneratat e reja ishin veçanërisht kureshtare për të mësuar më shumë, ndërsa shumë prej tyre treguan se blejnë rroba të përdorura. Kalova shumë mirë, por herën tjetër diçka që patjetër do ta ndryshoja në kuiz është të bëja pyetje më të thjeshta, pasi ishte e vështirë të shpjegoja indeksin e riparueshmërisë dhe të drejtën për riparim si politikë të BE-së.” – Angela (ARNO)

“Unë për herë të parë jam zyrtarisht në një ngjarje të ARNO-s. Për mua ishin interesante përgatitjet, duhej të kuptoja se si bëhen vrimat në rripa, në mënyrë që t’ua tregoja njerëzve. Asistova edhe në punëtorinë për tharëset e flokëve. Përshtypjen më të madhe më la fakti që tharëset janë projektuar qëllimisht me mekanizma të ndryshëm, në mënyrë që të hapen dhe të riparohen më vështirë, gjë që tregon se çfarë sfidash sjell konsumizmi i sotëm. Në përgjithësi, për mua ngjarja ishte një përvojë e bukur dhe njoha njerëz të mrekullueshëm.” – Kristiani (ARNO)

“Për mua ngjarja është një sukses i madh. Kishte energji të mirë, njerëz të mrekullueshëm dhe fakti që u zhvillua në një qendër tregtare na solli qasje tek një audiencë e re, jo vetëm tek rrethet tona të njerëzve që tashmë janë të vetëdijshëm për konsumizmin dhe nevojën për riparime. Isha e shqetësuar se si do t’i realizonim punëtoritë tona jashtë hapësirës dhe të gjitha veglat që i kemi në Kisella Vodë, por dolën shumë mirë. Instruktorët tanë ndanë edhe histori personale, ndërsa pjesëmarrësit ishin shumë të këndshëm. Ishte një çift, një djalë dhe një vajzë, shumë të aftë, që hapën vetë tharësen e tyre, tharësen e një pjesëmarrëseje tjetër dhe mendoj se si hobi në shtëpi kanë të riparojnë gjëra.” – Irina (ARNO)

“Tharësja e flokëve është veçanërisht e dashur për mua, sepse ma kishte dhuruar nëna ime, por me kalimin e kohës u bë vetëm pjesërisht funksionale. Jam jashtëzakonisht e kënaqur që falë përkushtimit të mjeshtrit mori përsëri jetë, ndërsa e gjithë përvoja u bë edhe më e veçantë nga energjia pozitive e të gjithë ekipit.” – Zimere (pjesëmarrëse në punëtorinë për diagnostikimin dhe riparimin e tharëseve të flokëve)

“Cirkularium” edhe një herë na konfirmoi se kultura e riparimit nuk është diçka nga e kaluara, por një shprehi që mund të rikthehet, nëse ka hapësirë, mjete dhe njerëz që do ta tregojnë. Prandaj, herën tjetër kur diçka të prishet, pyesni veten: A mund të riparohet? Apo, si mund të bëj që ky objekt të më zgjasë më shumë?

Falënderim i madh për Skopje City Mall për ftesën, për Katarinën dhe Momçillon për profesionalizmin dhe për të gjithë qytetarët që u ndalën në stendën tonë. Ndiqni rrjetet sociale për aktivitetet e ardhshme të “Asgjë e Re”!

Social share