Maqedonia e Veriut i bashkohet anketës më të madhe europiane për ndërmarrjet sociale
ARNO u bën thirrje ndërmarrjeve sociale nga Maqedonia e Veriut të plotësojnë anketën më të rëndësishme europiane për ndërmarrësinë sociale, “European Social Enterprise Monitor”, e cila aktualisht është duke u zhvilluar dhe është e disponueshme në linkun e mëposhtëm.
“ARNO ka marrë përsipër nismën që Maqedonia e Veriut të përfaqësohet në hartë dhe që të mbledhim të dhëna që do të na udhëheqin në të ardhmen – se ku duhet të fokusohemi më shumë dhe çfarë lloj mbështetjeje nevojitet. Ftojmë të gjithë ata që kanë qenë pjesë e programeve tona, si dhe këdo që e konsideron veten një ndërmarrje sociale – pavarësisht nëse janë organizata të shoqërisë civile me aktivitete ekonomike, kooperativa, zejtarë, fermerë individualë apo kompani që riinvestojnë fitimin e tyre. Të gjithë ata që gjenerojnë fitim duke ndjekur një mision social, ose që angazhohen në integrimin në punë (duke punësuar persona me më pak mundësi), inkurajohen ta plotësojnë anketën. Gjithashtu, të gjithë respondentët do të kenë mundësinë të krijojnë një profil publik falas në platformën “Good Market”, të ndajnë postimet e tyre dhe të kenë qasje në shërbime dhe mundësi certifikimi,” u shpreh Irina Janevska nga ARNO.
Anketa është e shkurtër dhe e lehtë për t’u plotësuar, duke marrë rreth 15 minuta. Ju lutemi kini parasysh sa vijon:
• Për të hyrë në anketë, duhet të vendosni një adresë emaili ku do të merrni një link verifikimi. Mund të vazhdoni vetëm pasi të verifikoni emailin.
• Për të përzgjedhur Maqedoninë e Veriut, duhet të zgjidhni “Southern Europe” (Europa Jugore).
• Anketa përbëhet nga 5 seksione. Për disa prej tyre do t’ju nevojiten të dhëna (të përafërta) – si numri i të punësuarve, qarkullimi vjetor dhe sektorët e veprimtarisë. Shpjegime shtesë jepen nën pikëpyetjet e gjelbra.
• Mos u kufizoni shumë në përgjigje – lejohen disa opsione dhe mund të zgjidhni lirisht alternativa të lidhura ose të shtoni tuajat te “Others” ( Të tjera).
• Ka pyetje për të ardhurat dhe numrin e të punësuarve në vitin e kaluar fiskal. Në Maqedoninë e Veriut, viti fiskal zgjat nga 1 janari deri më 31 dhjetor.
• Pasi të keni plotësuar të pesë seksionet, zgjidhni “Submit” (Dërgo) për ta përfunduar me sukses anketën.
Për pyetje shtesë ose ndihmë, telefononi në +389 77 855 832.
“European Social Enterprise Monitor” është studimi më i madh për ndërmarrjet sociale në Europë, i cili përfshin më shumë se 40 vende, e që ka si qëllim të theksojë kontributin që ndërmarrjet sociale japin për shoqërinë dhe ekonominë europiane. Ky është edicioni i katërt i këtij monitorimi. Në edicionin e mëparshëm, mbi 2,000 sipërmarrës socialë ndanë përvojat e tyre, dhe zërat e tyre tashmë kanë ndikuar te qeveritë, edukatorët dhe politikëbërësit në mbarë Europën. Të dhënat e mbledhura do të prezantohen në një raport krahasues europian, si dhe në raporte të detajuara kombëtare dhe tematike.
“Përmes projektit ‘Invest in Change’, ARNO ka mundësinë të ndjekë nga afër trendet në ndërmarrësinë sociale dhe atë me ndikim. Gjithnjë e më shumë po flitet për investime dhe linja krediti, dhe më pak për grante. Kjo është një mundësi e mirë për të hartëzuar se kush jemi, sa jemi dhe ku qëndrojmë në Maqedoninë e Veriut, në mënyrë që të kuptojmë më mirë se çfarë vjen më pas. Ne iu bashkuam këtij procesi ‘pro bono’, nga një dëshirë e sinqertë si për të mbledhur të dhëna si dhe për të siguruar që entitetet maqedonase të jenë të dukshme në platformë. Na ndihmoni t’i vendosim ndërmarrjet sociale maqedonase në hartë dhe të hapim rrugën drejt një ekonomie ku njerëzit dhe planeti vihen në radhë të parë!”, u shprehën përfaqësuesit e ARNO-s.
Projekti “Invest in Change” është një nismë pionere e financuar nga Bashkimi Europian. Qëllimi i tij është të zhvillojë një mjedis më të favorshëm për ndërmarrësinë sociale në Ballkanin Perëndimor duke përmirësuar qasjen në financa, duke angazhuar palët përkatëse dhe investitorët, si dhe duke avancuar politikat në këtë fushë. Projekti koordinohet nga Impact Europe dhe zbatohet në partneritet me ARNO (Maqedonia e Veriut), Partners Albania (Shqipëri), Smart Kolektiv (Serbi), Foundation 787 (Bosnjë dhe Hercegovinë), ADP-Zid (Mali i Zi) dhe ICK (Kosovë).

