Vizitë studimore në Kamerun: Udhëtimi i projektit GREASE
Nga 2 deri më 6 qershor 2024, partnerët e projektit GREASE ishin në një turne studimor frymëzues në të gjithë Kamerunin. Marjani dhe Shemo nga ARNO ishin pjesë e ekipit të projektit për të hulumtuar aktorët kryesorë të Ekonomisë Sociale dhe Solidare (SSE) në zonat urbane dhe rurale dhe fuqizimin e komuniteteve rurale dhe grave, përmes sipërmarrjes sociale të gjelbër dhe zhvillimit të kooperativave.
Vizita pasoi Forumin e parë Afrikan për Ekonominë Sociale dhe Solidare (FORA’ESS), që u mbajt në Yaoundé, nga 28 deri më 30 maj 2024. E bashkëorganizuar nga PFAC, partneri i projektit GREASE, kjo ngjarje pan-afrikane mblodhi së bashku mbi 1,500 pjesëmarrës nga i gjithë kontinenti, të cilët eksploruan modele të ndryshme të SSE-së. Gjatë forumit, projekti GREASE organizoi një sesion panel për të paraqitur qëllimet e tij dhe për të diskutuar rolin e SSE-së në fuqizimin e komuniteteve, veçanërisht përmes rrjetit RELESS në Kamerun.
Vizita studimore filloi në Yaounde, ku pjesëmarrësit u njohën me zakonet lokale dhe morën një pasqyrë të aktiviteteve të ardhshme. Kjo vizitë ishte një mundësi për partnerët e GREASE që të takohen personalisht, të organizojnë një tryezë të rrumbullakët dhe të ndajnë përvojat e tyre, duke hapur rrugën për punën e ardhshme të konsorciumit. ARNO ndau programet e saj të sipërmarrjes sociale të gjelbër, përvojën në mbështetjen e bizneseve të gjelbra dhe sociale dhe rrjetëzimin në SSE. Diskutimi eksploroi potencialin për bashkëpunim dhe shkëmbim njohurish midis vendeve, për të zhvilluar më tej lëvizjen SSE në Afrikë.
Më pas, udhëtimi nga kryeqyteti u zhvendos në komunat rurale të Duamentang dhe Olangina. Në Duamentang, që ndodhet në rajonin lindor, ekipi i GREASE vizitoi kooperativat e udhëhequra nga gra të përfshira në prodhimin agro-ushqimor, shëndetësi dhe arsim. Këto kooperativa janë të përkushtuara për të mbështetur jetesën e grave rurale nëpërmjet bujqësisë tradicionale dhe teknikave inovative bujqësore. Vizita përfshinte ndërveprime me gra që kultivojnë kasavë, miser, lule-delli , madje dhe peshk.
Partneret mësuan për sfidat e përditshme me të cilat përballen këto gra dhe diskutuan për rolin e rëndësishëm të kooperativave dhe rrjetit RELESS në përmirësimin e situatës së tyre socio-ekonomike.
Në Olangina, partnerët u mirëpritën ngrohtësisht nga komuniteti lokal, duke përfshirë kryetarin e bashkisë, zyrtarët komunalë dhe anëtarët lokalë RELESS. Vizita përfshinte eksplorimin e kooperativave të suksesshme si plantacionet e makabos dhe ananasit, si dhe sistemet e peshkimit që përfaqësojnë aktivitete jetese për gratë vendase. Gjithashtu, u organizua një konferencë për prezantimin e aktiviteteve të projektit, gjatë së cilës kryetari i bashkisë shprehu angazhimin e tij për zhvillimin e rrjetit RELESS. Aktiviteti u mbyll me një ceremoni solemne ku u certifikuan dhjetë kooperativa të reja, duke pasuruar SSE-në në këtë rajon.
Vizita studimore përfundoi me një takim me z. Achille Basilequin, Ministër i Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, Ekonomisë Sociale dhe Artizanatit të Kamerunit. Ky takim pati një rëndësi të madhe për prezantimin e vizionit afatgjatë të projektit dhe përafrimin e tij me synimet zhvillimore të vendit. Mbështetja e ministrit, ishte një hap i rëndësishëm drejt garantimit të qëndrueshmërisë së projektit dhe ndikimit pozitiv të tij në komunitetet rurale.
Gjatë vizitave në zonat rurale, partnerët u përfshinë në komunitetet lokale ku dëgjuan historitë e grave sipërmarrëse dhe anëtarët e kooperativave dhe diskutuan mbi sfidat dhe mbështetjen që ata presin nga projekti. Këto biseda theksuan nevojën për iniciativa për ngritjen e kapaciteteve për t’i pajisur gratë me aftësitë e nevojshme për të drejtuar ndërmarrjet sociale. Përvojat e fituara nga këto shkëmbime, janë thelbësore për formimin e aktiviteteve të ardhshme, duke siguruar që mbështetja e ofruar nga projekti të plotësojë nevojat reale të komuniteteve lokale.
Projekti GREASE është i bashkëfinancuar nga programi Erasmus+ i Bashkimit Europian. Projekti koordinohet nga DIESIS Network (Belgjikë), në partneritet me ARNO (Maqedonia e Veriut), AFROLEADERSHIP, FORESSCAM dhe Partenariat France & Afrique pour le Co-développement (PFAC) nga Kameruni.