
Të rinjtë mësuan për demokracinë ekonomike: U mbajtën trajnime për ESOP
Në muajin mars, ARNO përfundoi trajnimet falas të dedikuara për temën e demokracisë ekonomike dhe modelin e pronësisë nga ana e punonjësve – ESOP (Employee Stock Ownership Plan). Përmes një serie prej 5 sesionesh online, më shumë se 30 pjesëmarrës patën mundësinë të njoftohen me këtë qasje inovative në ekonomi që vendos në fokus demokracinë, pjesëmarrjen dhe përgjegjësinë e përbashkët.
Kjo ishte hera e parë që në Maqedoninë e Veriut që flitej kaq strukturuar për ESOP, një model që mundëson që punonjësit të bëhen pjesë e pronësisë në kompanitë ku punojnë. Trajnimet hapën pyetje rreth asaj se çfarë do të thotë ekonomi e drejtë sot, cilat ndryshime kërkon e ardhmja e tregut të punës dhe cilat janë mjetet që të rinjtë mund të përdorin për të qenë pjesë e këtyre ndryshimeve.
Trajnimet ishin interaktive, plot me shembuj, ligjërues frymëzues dhe perspektiva të reja. Një theks i veçantë iu dha përvojës sllovene me implementimin e modelit ESOP, por edhe kontekstit global – ku mijëra kompani tashmë funksionojnë sipas parimeve të demokracisë ekonomike.
ESOP nuk është utopi – por një mjet. Një model që mund të ridefinojë fuqinë ekonomike. Në vend që punonjësit të jenë vetëm shifra, ata bëhen bashkë-krijues të vizionit, pjesë e vendimeve dhe pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në sukses. Për këtë arsye, interesimi i të rinjve ishte i jashtëzakonshëm dhe reagimet – edhe më inkurajuese.
Trajnimet përfunduan, por tema mbetet e hapur – për dialogje të reja, ide të reja dhe mundësi të reja. ARNO do të vazhdojë të shqyrtojë dhe promovojë demokracinë ekonomike dhe modelin ESOP, me fokus te të rinjtë dhe praktikat e drejta ekonomike që mund të kontribuojnë për një të ardhme më të qëndrueshme dhe më të drejtë.
Projekti “Modelimi i të ardhmes së punës: mjedisi demokratik i punës për rininë për ndryshime shoqërore”, është zbatuar nga Instituti për Demokracinë Ekonomike – Slloveni (koordinator) dhe Shoqata për Inovacione Sociale “ARNO” – Maqedonia e Veriut. Projekti është financuar nga Programi Erasmus+ i Bashkimit Europian. Përmes këtij projekti zhvillohen aktivitete dhe burime të ndryshme për promovimin e modeleve të pronësisë nga ana e punonjësve, menaxhimit demokratik dhe inovacioneve sociale, duke mundësuar që të rinjtë të marrin pjesë aktivisht në formësimin e të ardhmes.