Prezantohen inovacionet e gjelbra maqedonase: “qumësht trutësh”, filament nga plastika e mbeturinave dhe makarona nga kërpudhat image

Prezantohen inovacionet e gjelbra maqedonase: “qumësht trutësh”, filament nga plastika e mbeturinave dhe makarona nga kërpudhat

Më 2 prill, në Europe House Shkup, ARNO organizoi ngjarjen “Ekonomi e gjelbër inovative përmes shembujve maqedonas”, e cila kishte për qëllim të prezantojë idetë inovative të organizatave maqedonase Ekovita, Javor Zrnovci dhe Ino Tech Club. Këto organizata, në kuadër të skemës së granteve të projektit EICEE (Ekosistem për inovacion dhe zhvillim të ekonomisë qarkulluese në Ballkanin Perëndimor), patën mundësinë të krijojnë prototipe të produkteve të gjelbra maqedonase.
Në pjesën hyrëse, Irina Janevska nga ARNO theksoi se projekti EICEE përfaqëson një iniciativë strategjike për krijimin e një rrjeti për ekonominë qarkulluese. Përveç përgatitjes së raporteve kombëtare dhe punimeve shkencore për politika publike, kontributi kryesor i projektit është krijimi i një infrastrukture unike rajonale. Rrjeti përfshin: “I2 Makerspace” në Podgoricë për eko-dizajn dhe zgjidhje 3R, një qendër për riciklimin e mbetjeve elektronike në Pejë, “Deli Center” në Nish për eko-dizajn dhe produkte nga balta, si dhe “Matchmakers Center” në Sarajevë për lidhjen e prodhuesve të gjelbër me industrinë. Në kuadër të këtij rrjeti, në Shkup është themeluar Qendra për riparime “Asgjë e re” si një hub rajonal për edukim, riparime, ripërdorim dhe platformë për mbështetjen e ndërmarrjeve me ndikim.
Irina Janevska theksoi: “Projekti është si një mozaik, çdo partner ka rolin dhe qendrën e vet. Nëse rritemi në hapësirë dhe ekip, do të merrnim të gjitha praktikat e mira – do të sillnim edhe furra për baltë, makina CNC dhe mjete të tjera. Njëkohësisht jemi mirënjohës që ‘Asgjë e re’ krijoi një bum tek ne – për 11 muaj punë kemi organizuar 45 punëtori të ndjekura nga 550 persona, ndërsa interesi është vazhdimisht trefish më i madh se kapaciteti. Ndonjëherë nuk i publikojmë punëtoritë për të përmbushur kërkesat e të regjistruarve. Së dyti, jemi mirënjohës që përmes skemës së granteve u mbështetën inovacionet e gjelbra maqedonase, pasi vendi ynë ka numrin më të madh të granteve në rajon.”
Në qendër të ngjarjes ishin prezantimet e organizatave të mbështetura: Organizata Javor Zrnovci prezantoi “qumështin e trutëvwe”, një inovacion që shfrytëzon potencialin e trutëve (bletëve mashkullore), të cilat bletarët dhe vetë kolonitë e bletëve, në një pjesë të vitit, zakonisht i largojnë. Nga to përfitohet një produkt i pasur me minerale, proteina, vitamina, enzima dhe aminoacide, shumë i ngjashëm me qumështin mbretëror, por dukshëm më i lirë.
“Trutët janë një pasuri, por ne i hedhim. Për këtë pranverë tashmë kemi shumë bletarë që po e aplikojnë këtë produkt të ri, ndërsa komuniteti shkencor është plotësisht i informuar. Nuk ndalemi këtu, tashmë po zhvillojmë edhe limonadë proteinike, sepse qëllimi ynë përfundimtar është të kontribuojmë në krijimin e një kombi më të shëndetshëm,” theksoi Blagojçe Najdovski nga Javor Zrnovci.
Ino Tech Club ndau informatën se kanë prototipuar filament për printim 3D nga plastika e ricikluar e mbeturinave, i zhvilluar në laboratorin “Ino Fab Lab” pranë Fakultetit Teknologjik-Metalurgjik. “Jemi krenarë që prezantojmë filamentin e parë funksional të ricikluar për printim 3D, i cili nuk është vetëm një prototip, por dëshmi se nga mbeturinat mund të krijohen materiale inovative dhe konkurruese. Ky rezultat i punës ekipore shkencore dhe kërkimore e vendos vendin tonë në hartën e vendeve me produkte reale në segmentin e ekonomisë qarkore,” deklaroi Verica Jordanova nga Ino Tech Club.
Organizata Ekovita prezantoi projektin INO Hub dhe brendet “Gaxhun” dhe “Mushroni”, të krijuara me përfshirjen e grupeve të cenueshme në fshatin Veshje. “Përmes projektit kemi siguruar një tharëse solare dhe kemi trajnuar prindër të vetëm dhe të rinj të papunësuar për prodhimin e ushqimeve me vlerë të shtuar. Gaxhuni është inovacioni ynë – një lloj mazhuni me kërpudha. Mushroni janë makarona nga kërpudhat, me indeks të ulët glicemik, të përshtatshme edhe për diabetikët. Edhe pse tashmë kemi marka të mbrojtura dhe jemi të pranishëm në treg, na nevojitet shpërndarje më e mirë që këto produkte të shëndetshme të arrijnë te sa më shumë konsumatorë,” u shpreh Kristina Todorova nga Ekovita.
Në ngjarje morën pjesë media, përfaqësues të organizatave dhe qytetarë të interesuar për zhvillimin e bizneseve të gjelbra. Nga ARNO theksojnë se, edhe pse projekti përfundon, shpresojnë në mbështetje të mëtejshme nga komunat, institucionet shtetërore dhe donatorët ndërkombëtarë. Ata shohin potencial të madh në Ligjin për ndërmarrësi sociale, i cili përveç verifikimit duhet të sigurojë edhe mjete konkrete për mbështetjen e ideve të tilla që kontribuojnë si për mjedisin ashtu edhe për vetë komunitetet.
Projekti “EICEE – Ekosistem për eko-inovacione dhe ekonomi qarkulluese në Ballkanin Perëndimor” mbështetet nga Bashkimi Evropian përmes programit për shoqërinë civile dhe mediat në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi (IPA III). Projekti zbatohet nga ADP-Zid (Mali i Zi) në partneritet me CEDRA Split (Kroaci), Deli (Serbi), ARNO (Maqedonia e Veriut), Lens (Kosovë) dhe Green Building Council (Bosnjë dhe Hercegovinë).
Social share