Investimi me ndikim dhe bashkëpunimi: përvojat nga konferenca “Business of Impact “
Salla të mbushura, biseda frymëzuese, panele dhe shumë hapa nëpër Lisbonën e bukur dhe kodrinore – kështu dukej udhëtimi dhe pjesëmarrja e këtij viti në konferencën “Business of Impact”, të organizuar nga Impact Europe. Delegacioni nga Maqedonia e Veriut, i përbërë nga Irina Janevska (ARNO) dhe Vera Varxhiska (Sava Osiguruvanje), ishte pjesë e këtyre proceseve të rëndësishme europiane, duke ndarë përvojat lokale dhe duke krijuar lidhje me fondacione, korporata dhe fonde me ndikim nga Europa. Ky udhëtim dhe aktivitetet studimore ishin pjesë e projektit rajonal “Investojmë në ndryshim” (Invest for Change), i cili i kushtohet zhvillimit të sipërmarrjes sociale dhe ekosistemit të ndikimit në Ballkanin Perëndimor dhe financohet nga Bashkimi Europian.
Aktivitetet filluan një ditë para konferencës, më 14 shtator, me një vizitë të veçantë studimore në ekosistemin portugez të ndikimit, të organizuar nga Maze Foundation dhe Ageas Foundation. Vizita ofroi njohuri praktike se si kapitali filantropik, investimet me ndikim dhe partneritetet ndërsektoriale mund t’i forcojnë ekosistemet për inovacione sociale. Pjesëmarrësit dëgjuan përvoja të drejtpërdrejta nga fondacionet, si dhe nga sipërmarrje frymëzuese me ndikim që po e ndryshojnë botën përmes veprave:
- Cycling Without Age = iniciativë që, përmes biçikletave të posaçme, u mundëson personave të moshuar transport falas dhe kontakt të përditshëm me natyrën dhe komunitetin, si një mënyrë për të luftuar vetminë.
- Ubbu = platformë moderne edukative për fëmijë, e cila ndryshon standardet në arsim përmes mësimit të aftësive për të ardhmen.
Vetë konferenca, më 15 dhe 16 shtator, u mbajt në qendrën historike dhe piktoreske të Lisbonës (Largo Trindade Coelho, në ambientet e Broteria, muzeut Casa Asia dhe Santa Casa da Misericordia), duke u zhvilluar në tri drejtime kryesore tematike:
- Drejtimi i parë ishte “zhbllokimi i bashkëpunimit” (Unblocking Collaboration), përkatësisht mënyra se si të tejkalohen barrierat dhe të krijohen partneritete produktive ndërmjet sektorëve të ndryshëm. Punëtoritë treguan se kompanitë individuale nuk mund t’i zgjidhin vetë sfidat sistemike pa mjete të përbashkëta dhe zinxhirë vlerash të harmonizuara.
- Drejtimi i dytë u përqendrua në tranzicionin e drejtë energjetik (Just Energy Transition), përkatësisht në një analizë të thellë se si detyrimet deklarative të shndërrohen në praktikë, duke harmonizuar investimet, teknologjinë dhe njerëzit për një të ardhme të qëndrueshme.
- Drejtimi i tretë ishte infrastruktura e ndikimit (Impact Infrastructure), e cila përfshin lidhjen e njerëzve me të dhënat dhe platformat. Në këtë kuadër, aktiviteti ishte gjithashtu një mundësi e shkëlqyer për t’u njohur me zgjidhjet digjitale, si platforma SIAE për monitorimin e investimeve sociale në të gjithë Europën, e cila tashmë është zyrtarisht e disponueshme për përdorim në https://siae.impacteurope.net/.
Përmes të dhënave të prezantuara u theksua fuqia e komunitetit të Impact Europe, një rrjet që bashkon një gamë të gjerë aktorësh – nga fondacionet që investojnë kapital katalitik, përmes korporatave që përfshijnë ndikimin në zinxhirët globalë të furnizimit, e deri te fondet dhe institucionet me ndikim. Fokusi global i këtij rrjeti monitoron mbi 100 miliardë euro të flukseve të kapitalit social në 160 vende, ndërsa rreth 80% e kapitalit është i shpërndarë në Europë. ARNO u bë anëtare e Impact Europe falë projektit “Investojmë në ndryshim” dhe me kënaqësi pret të gjitha rrjetëzimet e ardhshme dhe ngjarjet e tilla vjetore, ku edhe Maqedonia e Veriut ka mundësi të jetë e pranishme.
Për ARNO-n dhe Sava Osiguruvanje, pjesëmarrja në një ngjarje të këtij niveli dhe me këtë tematikë është një konfirmim se hapat dhe iniciativat lokale janë pjesë e një vizioni shumë më të gjerë europian për ndryshime të drejta dhe të qëndrueshme.
Ne besojmë se transformimet e vërteta ndodhin vetëm kur sektori civil dhe komuniteti i biznesit punojnë së bashku, me vizion dhe profesionalizëm, duke vazhduar të mësojnë dhe të krijojnë partneritete me vlerë. Në kuadër të projektit, përmes aktiviteteve të ndryshme, ARNO synon ta angazhojë gjithnjë e më shumë sektorin privat për të mbështetur zhvillimin e sipërmarrjes me ndikim

