Ti vendos se çfarë dhe sa vlen: Bota shënon Circular Monday
SHKUP, 23.11.2026 – Shoqata “ARNO“ dhe qendra e riparimeve në Shkup “Asgjë e re“ (“Ништо ново“ ) edhe këtë vit, për herë të dytë, i bashkohen lëvizjes globale Circular Monday, e cila shënon dhjetëvjetorin e themelimit të saj.
E Premtja e Zezë (Black Friday) dhe Java Kibernetike (Cyber Ëeek) e vitit të kaluar arritën një kulm historik, me shitje globale rekord prej 336,6 miliardë dollarësh. Ndërsa E Premtja e Zezë thyen rekorde të reja nga viti në vit, kjo ditë – e hëna para të Premtes së Zezë – u bën thirrje njerëzve të shohin përtej etiketës së çmimit dhe t’i rikthejnë kuptimin e vërtetë fjalës “vlerë“.
“Një ofertë më e mirë nuk duhet të nënkuptojë vetëm një çmim më të ulët. Një telefon i riparuar, një xhaketë e përdorur apo një trapano e marrë hua për një pasdite – asnjëra prej këtyre nuk është kompromis, por secila përfaqëson një zgjedhje të mençur“, thotë Alexandra Davidson, bashkëthemeluese dhe udhëheqëse globale e Circular Monday. “Ti vendos se sa vlen diçka, e jo tregtari me kalendarin e tij të zbritjeve. Kjo është ajo që nënkuptojmë kur themi: rikthejeni vlerën në duart tuaja (put the U back in value).“
E themeluar në Suedi në vitin 2017, si një alternativë pozitive ndaj të Premtes së Zezë, Circular Monday është shndërruar në një lëvizje të pavarur globale që përfshin 60 shtete, duke bashkuar vullnetarë, brende dhe krijues të ndryshimeve, të cilët promovojnë riparimin, ripërdorimin dhe konsumin e ndërgjegjshëm. Vetëm gjatë vitit 2025, fushata arriti te 108 milionë njerëz në 58 shtete, pa reklamim të paguar.
Përmes aktiviteteve lokale për mbështetjen e bizneseve të gjelbra sociale dhe përmes qendrës së riparimeve “Asgjë e re“ (“Ништо ново“ ), e cila promovon praktika si riparimi, shkëmbimi, huazimi dhe biblioteka e sendeve, ARNO vazhdon të frymëzojë ndryshime në jetën e përditshme.
“Kjo fushatë nuk predikon se çfarë nuk duhet bërë, por tregon se si mund të bëhet më mirë. Është më mirë që miliona njerëz të bëjnë zgjedhje të vogla dhe të ndërgjegjshme, sesa që disa qindra prej tyre të jetojnë një jetë të përkryer të qëndrueshme. Prandaj, në këtë narrativë përfshijmë edhe ndërmarrjet me ndikim, përfshirë bizneset qarkulluese maqedonase dhe ndërmarrjet e gjelbra sociale. Ne besojmë se mund të blejmë dhe të përdorim produkte dhe shërbime nga ndërmarrje që kontribuojnë në të mirën e mjedisit jetësor dhe të komuniteteve. Përmes projektit “Investojmë në ndryshime“ ( “Инвестираме во промени“ ), pikërisht këtyre ndërmarrjeve do t’u ofrojmë mbështetje, ndërsa përmes një projekti të ri IPA do të organizojmë punëtori për riparime dhe aktivitete edukative“, deklaroi Irina Janevska nga ARNO.
Më shumë informacione rreth iniciativës globale dhe mënyrave të përfshirjes mund të gjenden në faqen zyrtare të internetit circularmonday.com, si dhe në kanalet e rrjeteve sociale të ARNO-s dhe qendrës “Asgjë e re“ (“Ништо ново”).

