Maqedonia e Veriut i bashkohet Monitorit Europian të Ndërrmarjeve Sociale: Publikohet raporti i parë kombëtar për vitin 2026
ARNO ka kënaqësinë të njoftojë publikimin e raportit të parë kombëtar në kuadër të projektit European Social Enterprise Monitor (ESEM) 2026.
Për herë të parë, Maqedonia e Veriut ka marrë pjesë në këtë projekt prestigjioz kërkimor pan-europian, të udhëhequr nga Euclid Network, me mbështetjen e Komisionit Evropian. Raporti ofron grupin e parë të të dhënave për sektorin e ndërmarrjeve sociale në Maqedoninë e Veriut, të krahasueshme në nivel ndërkombëtar, duke krijuar një bazë të rëndësishme për politikëbërësit, investitorët dhe organizatat mbështetëse.
[SHKARKONI RAPORTIN E PLOTË PËR MAQEDONINË E VERIUT ESEM 2026 NORTH MACEDONIA REPORT (PDF)]
Raporti i vitit 2026 bazohet në një anketë me 53 ndërmarrje sociale në mbarë vendin, të realizuar në periudhën nga prilli deri në gusht të vitit 2026. Gjetjet paraqesin një sektor me motivim të lartë dhe të orientuar drejt misionit të tij, i cili aktualisht përballet me kufizime për shkak të mungesës së mbështetjes së dedikuar financiare dhe strukturore.
GJETJET KRYESORE TË RAPORTIT:
- Një sektor i ri dhe në rritje: Sektori ka një moshë mesatare prej pesë vjetësh, ndërsa pas periudhës së COVID-19 është vërejtur një rritje e ndjeshme e themelimit të ndërmarrjeve të reja. Pikërisht 30 nga 53 ndërmarrjet e përfshira në anketë janë themeluar në periudhën 2021–2026.
- Të orientuara drejt misionit, por me kapital të pamjaftueshëm: Edhe pse 92,5% e ndërmarrjeve udhëhiqen kryesisht nga një qëllim social ose mjedisor, 40% kanë raportuar se nuk kanë realizuar të ardhura gjatë vitit të fundit financiar, ndërsa 87,5% nuk posedojnë certifikim të jashtëm.
- Fushat kryesore të ndikimit: Ndikimi në mjedis, veçanërisht ekonomia qarkulluese, si dhe përfshirja sociale, me fokus te të rinjtë dhe gratë, përbëjnë prioritetet kryesore të ndërmarrjeve sociale në Maqedoninë e Veriut.
- Qasja në financa, pengesa më e madhe: Mbi 60% e të anketuarve kanë theksuar mungesën e qasjes në financa si pengesën më të rëndësishme për zhvillimin e tyre, e ndjekur nga ndërgjegjësimi i kufizuar i publikut.
- Mbështetje e ulët e perceptuar politike: Në një shkallë nga 0 deri në 100, mbështetja politike për sipërmarrjen sociale është vlerësuar jashtëzakonisht ulët në nivel kombëtar (10), rajonal (15) dhe komunal (10).
- Punësimi dhe optimizmi: 53 ndërmarrjet e anketuara ofrojnë gjithsej 362 vende pune, prej të cilave 259 janë vende pune të paguara. Pavarësisht sfidave, 69,8% presin që të ardhurat e tyre të rriten gjatë vitit të ardhshëm, duke dëshmuar qëndrueshmëri të lartë sipërmarrëse.
NJË MOMENT I RËNDËSISHËM PËR EKOSISTEMIN
“Pjesëmarrja për herë të parë në ESEM përbën një moment të rëndësishëm për Maqedoninë e Veriut”, deklarojnë autorët e raportit, Irina Janevska dhe Riste Kostovski nga ARNO. “Jemi jashtëzakonisht krenarë që, falë angazhimit të përkushtuar vullnetar të ekipit tonë, arritëm të hartojmë këtë raport gjithëpërfshirës. Ky hulumtim është një pasqyrim i drejtpërdrejtë i përkushtimit tonë të vazhdueshëm, në kuadër të iniciativës Invest for Change për të ndërtuar një ekonomi sociale më të fortë dhe më tërheqëse për investime . Të dhënat na ofrojnë dëshmitë e sakta që na nevojiten për ta orientuar fokusin tonë drejt zgjidhjeve praktike: zhvillimit të instrumenteve financiare të përshtatura, përmirësimit të qasjes në treg dhe forcimit të kapaciteteve të këtyre ndërmarrjeve, në mënyrë që ato të arrijnë qëndrueshmëri financiare. Tashmë kemi një pasqyrë të qartë se ku ndodhet sektori dhe si mund të mbështetet zhvillimi i tij.”
Raporti i plotë përfshin analiza të detajuara mbi qeverisjen, modelet e biznesit dhe rekomandimet për politikat. Ai është i disponueshëm për shkarkim në ueb-faqen e ARNO-s.
ESEM është projekt i udhëhequr nga Euclid Network, me mbështetjen e Komisionit Europian. Ky studim bashkëfinancohet nga Bashkimi Europian. Pikëpamjet dhe qëndrimet e shprehura në të janë vetëm të autorëve dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimet e Bashkimit Europian apo të Komisionit Europian. As Bashkimi Europian dhe as autoriteti financues nuk mund të mbahen përgjegjës për to.

