Forum në Shkup: Të rinjtë debatuan për demokracinë ekonomike dhe pronësisë së punëtorëve image

Forum në Shkup: Të rinjtë debatuan për demokracinë ekonomike dhe pronësisë së punëtorëve

Më 19 qershor 2025, në Europe House Skopje, u mbajt Forumi Rinor për Demokracinë Ekonomike dhe Pronësisë punëtorëve, si aktivitet përmbyllës në kuadër të projektit Erasmus+ Shaping the Future of Work: Youth Workplace Democracy for Social Change (SWAYED). Forumi u organizua nga organizata ARNO dhe Instituti për Demokraci Ekonomike nga Sllovenia.

Forumi nxiti pyetjet për të ardhmen e punës dhe mundësinë që të rinjtë të ndikojnë në kulturën korporative përmes modeleve të demokracisë ekonomike, siç është ESOP modeli i pronësisë nga punonjësit. Në hapje të forumit, Brin Kaplan nga Instituti për Demokraci Ekonomike (Slloveni) bëri një përmbledhje të shkurtër mbi modelin ESOP, demokracinë ekonomike dhe pronësinë nga punëtorët. Përmes dy paneleve tematike dhe një punëtorie interaktive, u analizuan sfidat dhe potencialet e këtyre qasjeve alternative, duke u theksuar veçanërisht mundësia që ato të shërbejnë si zgjidhje të qëndrueshme për problemet socio-ekonomike me të cilat përballen të rinjtë sot.

Paneli i parë u përqendrua në temën: “Kultura korporative, talenti i të rinjve dhe trashëgimia e biznesit sfida apo mundësi për kompanitë në Maqedoni dhe Slloveni”, ku folës ishin: Sebastjan Pikl – Instituti për Demokraci Ekonomike (Slloveni); Durim Zeqiri – Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veri Perëndimore (Maqedoni e Veriut); Prof. Dimitar Jovevski -Fakulteti Ekonomik pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup (Maqedoni) dhe Aleksandra Sholdova Spasovska – Women In Tech Macedonia (Maqedoni).

Sebastjan Pikl nga Instituti për Demokraci Ekonomike, njëri prej folësve në panel, theksoi:

“Bashkëpronësia punëtore nuk është një utopi, por një realitet që funksionon me sukses në ekonomitë e zhvilluara. Në SHBA, përmes modeleve ESOP, mbi 14.7 milionë punëtorë janë bashkëpronarë, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar ekzistojnë afro 2.000 kompani me këtë strukturë. Sllovenia së shpejti do të miratojë Ligjin për Kooperativat e Pronësisë Punëtore, i cili do të lehtësojë transferimin e pronësisë në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, veçanërisht në kushte të krizës së trashëgimisë – 40% e pronarëve do ta kalojnë pronësinë në dhjetë vitet e ardhshme, ndërsa 66% nuk kanë plan trashëgimie. Jam krenar që po e sjellim këtë përvojë në Shkup dhe që së bashku me ARNO po hapim një hapësirë të re për ide për të ardhmen e punës dhe pronësisë.”

“Në rajon, kur flasim për ndërmarrjet sociale, zakonisht fokusohemi tek reinvestimi i fitimit, por shumë pak flasim për atë se kush i menaxhon dhe kush merr vendime, e ajo pjesë e menaxhimit është në fakt treguesi më i qartë i përfshirjes në modelet e bizneseve sociale. Me këtë projekt, ARNO dëshiron ta hapë edhe këtë temë dhe t’i ndihmojë ndërmarrjeve sociale të ndërtojnë struktura drejtuese të drejta dhe të qëndrueshme. Aktualisht, ky model tek ne ka tërhequr më së shumti startup-et në fushën e IT-së, të cilat janë më të hapura për inovacione në menaxhim dhe për trajtim të drejtë e të barabartë të punonjësve të tyre. Shpesh hasim startup-e të themeluara nga miq dhe kolegë që duan të kenë një strukturë horizontale, që është demokratike dhe e drejtë për të gjithë, dhe që reflekton kulturën korporative. Por përveç përfshirjes dhe demokracisë, modelet ESOP sjellin edhe produktivitet më të lartë, qëndrueshmëri dhe rritje të vetë kompanive, dhe po bëhen gjithnjë e më të popullarizuara në kompanitë anembanë botës. Është interesante të theksohet se gjatë krizave të fundit botërore dhe pandemisë së COVID-19, kompanitë me model ESOP treguan rezultatet më të mira dhe ruajtën punonjësit e tyre pavarësisht të gjitha sfidave.”, tha Marjan Icoski nga ARNO.

Paneli i dytë, me titull “Pronësia nga punonjësit dhe demokracia ekonomike si zgjidhje e qëndrueshme për sfidat socio-ekonomike të shekullit XXI”, prezantoi modelin ESOP si një shembull konkret për krijimin e praktikave të punës më të drejta, gjithëpërfshirëse dhe demokratike. Në këtë panel morën pjesë si folës Nejc Shkoberne – Instituti për Demokraci Ekonomike (Slloveni),Prof. Zdravko Saveski – Instituti për Shkenca Shoqërore dhe Humane (Maqedonia e Veriut), Dejan Aleksov – Zyra e Avokatëve Aleksov & Memishi (Maqedonia e Veriut), Monika Zajkova – Deputete, Partia Liberale (Maqedonia e Veriut), dhe Aleksandra Loparska-Iloska – organizata Public (anëtare e rrjetit DIESIS) (Maqedonia e Veriut).

Në kuadër të forumit, pjesëmarrësit patën mundësinë të marrin pjesë edhe në një punëtori interaktive të udhëhequr nga Teja Sapaç dhe Masha Petroviç nga Instituti për Demokraci Ekonomike (Slloveni), ku përmes punës në grupe dhe studimeve të rasteve, u aplikuan njohuritë e reja në sfida reale nga bota e punës, pronësisë dhe vendimmarrjes kolektive.

Forumi gjithashtu shërbeu si një mundësi për rrjetëzim dhe shkëmbim idesh midis të rinjve, përfaqësuesve nga akademia, shoqëria civile dhe sektori i biznesit. Përmes diskutimeve aktive dhe analizës së rasteve konkrete, pjesëmarrësit fituan një pasqyrë të qartë për mënyrën se si modelet demokratike ekonomike mund të krijojnë vende pune më të drejta, më gjithëpërfshirëse dhe më të qëndrueshme.


Projekti “Formësimi i së ardhmes së punës: demokracia rinore në vendin e punës për ndryshime shoqërore”,  realizohet nga Instituti për Demokraci Ekonomike – Slloveni (koordinator) dhe Shoqata për Inovacion Social “ARNO” – Maqedonia e Veriut. Projekti financohet nga Programi Erasmus+ i Bashkimit Europian. Nëpërmjet këtij projekti zhvillohen aktivitete dhe burime të ndryshme për të promovuar modele të pronësisë nga punonjësit, menaxhim demokratik dhe inovacione sociale, duke u mundësuar të rinjve që të marrin pjesë aktive në formësimin e së ardhmes.

 

Social share