“EcoScrub”ndër fituesit e konkursit rajonal “Ide të Gjelbra 2025” image

“EcoScrub”ndër fituesit e konkursit rajonal “Ide të Gjelbra 2025”

Një edicion tjetër frymëzues i Balkan Green Ideas (Ide të Gjelbra 2025) ka përfunduar, duke festuar kreativitetin, inovacionin dhe qëndrueshmërinë në rajon. Ndër fituesit e këtij viti u përfshi edhe ideja maqedonase EcoScrub – krem natyral i bërë nga kafeja e përdorur, e cila përfaqësoi Maqedoninë e Veriut me një qasje inovative ndaj ripërdorimit të mbetjeve dhe promovimit të sipërmarrësisë së gjelbër.

EcoScrub dallon jo vetëm për formulën e saj ekologjike, por edhe për mesazhin e fuqishëm se mbetjet e përditshme mund të shndërrohen në produkte të vlefshme dhe të qëndrueshme. Kjo ide biznesi tregon se idetë e vogla mund të sjellin ndryshime të mëdha kur pas tyre qëndrojnë pasion dhe vizion. Ekipi fitues nga Fakulteti i Shkencave Teknologjike përbëhet nga doc. dr. Zimere Saiti Musliji, doc. dr. Drita Abazi dhe asoc. prof. dr. Sani Demiri, të cilët me vite kryejnë kërkime në fushën e qëndrueshmërisë dhe ripërdorimit të biombetjeve. Rezultatet e analizave të tyre shkencore janë publikuar në punime të rëndësishme dhe shërbyen si bazë për krijimin e kësaj ideje inovative.

Cilat janë idetë fituese për vitin 2025? Smart Save – Kosovë, Botanical Tours in Shkodër Lake National Park – Let’s Zoom into Nature – Mali i Zi, Green Bin – Bosnjë dhe Hercegovinë, EcoScrub – krem natyral nga kafeja e përdorur – Maqedonia e Veriut, Ride and Stride – Serbi, Greening Schools of Montenegro – Montenegrin Schools for a Green Future – Mali i Zi.

Në konkursin rajonal këtë vit, Maqedonia e Veriut mori pjesë edhe me idetë “Aroma e kashtës në çdo shtëpi” nga shoqata “Uma Sto” dhe “Lugina e Mjaltit – jetojmë me natyrën” nga shoqata “Medena Dolina” nga Belica. Të gjitha këto iniciativa theksojnë përkushtimin në rritje të rajonit ndaj inovacionit, bashkëpunimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Konkursi “Balkan Green Ideas”, i cili ekziston që nga viti 2011, përfaqëson një platformë të vërtetë për lidhje, mbështetje dhe promovim të zgjidhjeve sipërmarrëse të gjelbra në Ballkanin Perëndimor.


“Ide të Gjelbra” është një konkurs vjetor që mbështet zhvillimin e ideve të vogla, lokale dhe të qëndrueshme të biznesit në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Kosovë, Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Serbi dhe Greqi. Çdo vit, tre përfaqësues nga secili vend marrin pjesë në konkursin rajonal, dhe katër fitues marrin mbështetje prej 5.000 ose 10.000 dollarë për realizimin e ideve të tyre. Shoqata për Inovacione Sociale “ARNO”, për 11-vjet radhazi, administron konkursin kombëtar “Idetë e Gjelbra” dhe është krenare që deri tani vendi ka pasur fitues rajonalë dhe një investim total prej 100.000 dollarësh për zhvillimin e bizneseve të gjelbra në vend: Kooperativa e parë e konsumatorëve organikë “Toka jonë e mirë” (2015), iniciativa për riparimin e mobiljeve të vjetra, e cila u shndërrua në një biznes të vogël udhëhequr nga arkitektja Marta Mojsova – “SPIN” (2016), platforma për shitjen e ushqimeve të lira “Ushqim për të gjithë” (2017), Edukim përmes mesazheve ekologjike iluzioniste “Green Magic Production” (2017), “Bio Smart Rice”, prodhim i orizit në mënyrë të qëndrueshme (2019), Aplikacioni mobil “Challenger”, që shpërblen qytetarët për të gjitha kilometrat e gjelbra të përshkuara me këmbë (2019), “Wise Additive”, që prodhon aditiv ushqimor nga përpunimi i bërsive (2020), “O-Krug” (2021), startup ciklik që prodhon vajra esenciale dhe freskues ekologjik nga lëkurat e portokallit, “Dhoma pilot e insekteve” (2022), prodhim i ushqimit proteinik për kafshët shtëpiake nga insektet, Mirjana Josifoska (2023), që prodhon kapele dizajni nga mbetje tekstili dhe Trajçe Rushev – inovator i sobës portative (2025). Në vitin 2025, një ekip profesorësh mori një çmim prej 5.000 dollarësh për zhvillimin e një kremi natyral për peeling, të bërë nga mbetjet e kafes së përdorur.

Social share