Dita Botërore e Riparimit 2025
Për herë të dytë në Maqedoninë e Veriut, shoqata ARNO dhe Qendra e Riparimeve “Asgjë e Re” do ta shënojnë Ditën Botërore të Riparimeve, e cila këtë vit mbahet më 18 tetor me temën “vjetërsimi (obsoleshenca) i softuerit”. Tema e këtij viti është veçanërisht e rëndësishme, pasi vetëm disa ditë para Ditës Botërore të Riparimeve, Microsoft ndërpreu mbështetjen për Windows 10, duke lënë më shumë se 400 milionë kompjuterë në mbarë botën pa përditësime dhe pa mbështetje sigurie. Kjo, sipas nismës evropiane Right to Repair Europe, përfaqëson një shembull klasik të “vjetërsimit softuerik” – momenti kur pajisjet funksionale hidhen poshtë për shkak të ndërprerjes së mbështetjes softuerike, gjë që çon në një rritje dramatike të mbeturinave elektronike (700 milionë kg shtesë e-mbeturina) dhe në shpenzime të panevojshme për qytetarët dhe institucionet.
Në këtë kontekst, ARNO dhe Qendra “Asgjë e Re” u bëjnë thirrje qytetarëve, mësuesve, të rinjve dhe të gjithë të interesuarve që të regjistrohen në punëtorinë online “Si ta mirëmbash kompjuterin tënd -këshilla dhe truke praktike”, e cila do të mbahet më 20 tetor (e hënë) në orën 18:00, online, në platformën ZOOM. Punëtorinë do ta udhëheqë Prof. Dr. Boban Joksimoski nga Fakulteti i Shkencave Informatike dhe Inxhinierisë Kompjuterike (FINKI). Pjesëmarrësit do të marrin udhëzime dhe mjete konkrete për mirëmbajtjen e softuerit, optimizimin e sistemeve dhe përdorimin e sigurt të pajisjeve më të vjetra. Pjesëmarrja është falas, përmes regjistrimit në këtë link.
Përveç programit online, në Qendrën e Riparimeve “Asgjë e Re” do të zhvillohet edhe një punëtori kreative qepjeje me stilisten e modës Irina Tosheva, ku pjesëmarrësit do të krijojnë mbështjellëse për laptopë dhe tableta nga tekstilet e vjetra. Kjo veprimtari simbolikisht i lidh temat e mbeturinave digjitale dhe atyre tekstile, duke treguar se riparimet mund të jenë njëkohësisht të dobishme dhe krijuese.
Në të njëjtën kohë, një koalicion ndërkombëtar i ekspertëve për ekonominë qarkulluese dhe të drejtat digjitale u bën thirrje Microsoft-it dhe institucioneve evropiane që të vazhdojnë mbështetjen falas dhe automatike për Windows 10. Organizatat nga mbarë bota mund të nënshkruajnë letrën e hapur për mbështetje në këtë link.
“Vitin e kaluar, për herë të parë e shënuam Ditën e Riparimeve me donacione dhe riparim lodrash. Këtë vit fokusi është te softueri dhe mbeturinat digjitale, prandaj po organizojmë një ligjëratë online. Ne gjithashtu i bashkohemi thirrjeve drejtuar Komisionit Europian për rregulla të detyrueshme për eko-dizajn dhe për mbështetje të zgjatur të produkteve për të paktën 15 vjet,” deklaroi Antonio Danilovski, koordinator i projektit EICEE dhe menaxher i Qendrës së Riparimeve “Asgjë e Re”.
Dita Botërore e Riparimeve është një nismë globale që i inkurajon komunitetet të ndërmarrin hapa konkretë kundër kulturës së hedhjes dhe blerjes së panevojshme të pajisjeve të reja. Sipas të dhënave të Open Repair Alliance, vetëm në vitin 2024 janë organizuar mbi 2.000 ngjarje në 40 vende, ku janë riparuar rreth 190.000 pajisje. Me organizimin e këtyre aktiviteteve, ARNO vazhdon të zhvillojë kulturën e riparimeve në Maqedoninë e Veriut dhe të krijojë mundësi për mësim, ndarjen e njohurive dhe pjesëmarrje aktive të qytetarëve në ekonominë qarkulluese.
Aktivitetet realizohen në kuadër të fushatës Breath Clean, e cila është pjesë e një projekti të financuar nga Qeveria Federale Gjermane përmes Mbështetjes për Dialogun Klimatik në kuadër të Partneritetit Rajonal për Klimën me Ballkanin Perëndimor, i kërkuar nga Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (Bundesministerium für wirtschaftliche Zusammenarbeit und Entwicklung (BMZ)) dhe zbatuar nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ North Macedonia) GmbH.





