Shënohet në Shkup  10-vjetori i Ditës Botërore të Riparimeve image

Shënohet në Shkup 10-vjetori i Ditës Botërore të Riparimeve

ARNO, në bashkëpunim me Komunën e Kisella Vodës, MATA-n (Asociacioni i Tregtisë Artizanale në RMV) dhe Shtëpinë e të Moshuarve “Nënë Tereza“ në Shkup, më 17 tetor 2026 shënoi Ditën Botërore të Riparimeve. Kjo ditë u shënua për herë të tretë në Maqedoninë e Veriut dhe në kuadër të 10-vjetorit të nismës globale. Aktiviteti u zhvillua nën moton e këtij viti “Riparimet i bashkojnë njerëzit“ dhe përfshiu fjalime të përbashkëta dhe dy punëtori praktike për riparime.

“Përfshirja e të moshuarve nuk është vetëm një gjest human, por edhe ruajtje e njohurive dhe urtësisë. Për këtë arsye, sot ARNO nënshkroi memorandume bashkëpunimi me MATA-n dhe Shtëpinë e të Moshuarve “Nënë Tereza”. Gjithashtu, paralajmërojmë aktivitete të reja përmes një projekti IPA, në kuadër të të cilit këtu, në qendrën “Nishto Novo”, do të mësohen aftësi për riparime. Projekti do të përfshijë edhe aktivitete advokuese, promovimin e bizneseve të gjelbra maqedonase dhe fushata, me qëllim që të tregojmë se riparimet nuk janë vetëm çështje e ndërgjegjësimit personal ekologjik, por edhe një ndryshim sistemor që është pjesë e legjislacionit europian“, deklaroi Irina Janevska nga ARNO.

Si partnere dhe mbështetëse shumëvjeçare e qendrës, Komuna e Kisella Vodës theksoi rëndësinë e këtyre nismave për komunitetin.

“Riparimet nuk janë vetëm një mënyrë për të zgjatur jetëgjatësinë e sendeve, por edhe për të bashkuar brezat dhe për të mundësuar shkëmbimin e vlefshëm të përvojave. Komuna e Kisella Vodës do të vazhdojë të jetë partnere e qëndrueshme, duke krijuar hapësirë për kreativitet, edukim dhe lidhje ndërmjet brezave. Ky përvjetor le të na kujtojë se riparimi është një veprim i përgjegjshëm: kujdes për sendet, kujdes për natyrën dhe, mbi të gjitha, kujdes për njëri-tjetrin“, deklaroi Beti Stamenkoska Trajkoska, kryetare e Komunës së Kisella Vodës.

Fokusin drejt të nxënit përmes  brezave dhe zhvillimit të aftësive të buta e theksuan edhe përfaqësuesit e MATA-s.

“Sot MATA është këtu për të prezantuar projektin ‘Me punime artizanale drejt zhvillimit personal: Zhvillimi i aftësive të buta përmes modës së qëndrueshme’ (Craft2grow), i financuar nga Bashkimi Europian përmes programit Erasmus+. Projekti lidhet drejtpërdrejt me zhvillimin e aftësive të buta, si komunikimi efektiv, puna në ekip, inteligjenca emocionale, empatia dhe zgjidhja e problemeve përmes modës së qëndrueshme. Kemi zhvilluar mjete shumë të dobishme, të cilat janë në dispozicion në këtë platformë dhe që mund t’i përdorë secili. Na vjen mirë që do të bashkëpunojmë me ARNO-n dhe që njohuritë do të përcillen edhe më tej“, deklaroi Katerina Zlatanovska Popova nga MATA.

“Përdoruesit tanë besojnë fuqishëm në idenë dhe moton e Ditës Botërore të Riparimeve – ‘Riparo, mos hidh!’ – sepse kjo është një filozofi që e zbatojmë çdo ditë në institucionin tonë. Shtëpia e të Moshuarve “Nënë Tereza” funksionon që nga viti 1964 dhe jemi krenarë që mobiliet, inventari dhe një pjesë e pajisjeve tona janë ruajtur dhe vazhdojnë të jenë funksionale edhe pas kaq shumë vitesh. Disa nga përfituesit tanë dinë dhe janë të aftë t’i riparojnë vetë sendet, pasi kjo mënyrë të menduari është e rrënjosur thellë tek ata. Përmes aktiviteteve të përditshme, ne ulim sasinë e mbeturinave, kursejmë burimet dhe e zbatojmë këtë filozofi në tri fusha kryesore: pajisjet elektronike, moda dhe mobiliet. Synimi ynë është që, përmes bashkëpunimit me ARNO-n dhe MATA-n, të sigurojmë mbështetje. Natyrisht, përfshirja e përfituesve tanë në aktivitete do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e socializimit të tyre dhe në nxitjen e një jete më aktive“, deklaroi Joranço Josifov, drejtues i Shtëpisë së të Moshuarve “Nënë Tereza“.

Ky është viti i tretë që ARNO shënon Ditën Botërore të Riparimeve në Maqedoninë e Veriut, duke vazhduar traditën e aktiviteteve të suksesshme të viteve të kaluara. Ato përfshijnë mbledhjen dhe riparimin e lodrave, të cilat më pas iu dhuruan familjeve me më pak mundësi nga Komuna e Kisella Vodës, si dhe fushatat edukative të vitit të kaluar, të përqendruara te vjetërsimi i softuerit dhe kujdesi për pajisjet digjitale.

Nisma Dita Botërore e Riparimeve koordinohet nga organizata The Restart Project dhe rrjete ndërkombëtare, të cilat, përmes mbledhjes së të dhënave dhe aktivizmit shumëvjeçar, janë ndër nxitësit kryesorë të përpjekjeve për ndryshimin e legjislacionit evropian. Konkretisht, nga viti 2027, në Bashkimin Evropian bateritë e telefonave do të duhet të ndërrohen lehtësisht, garancitë për pajisjet do të zgjasin më shumë, ndërsa pjesët rezervë do të jenë të disponueshme me çmime të arsyeshme.

Shënimi i Ditës Botërore të Riparimeve përfundoi me prerjen solemne të tortës dhe organizimin e dy punëtorive praktike për të rritur – mësimi i teknikës tradicionale japoneze Sashiko, nën drejtimin e dizajneres Irina Tosheva, si dhe pjesmarrja në një punëtori për riparime kreative të tekstileve, të udhëhequr nga Olivia Georgievska nga MATA.

 

Social share