Është mbajtur moduli i parë i “Akademisë për ekonomi sociale”
Nga 18 deri më 20 nëntor 2022, në Vranje-Serbi u mbajt moduli i parë i Akademisë për ekonomi sociale, në të cilën morën pjesë përfaqësues të 4 ndërmarrjeve sociale dhe 8 iniciativave të reja ekzistuese për ndërmarrje sociale nga vendi ynë dhe nga Serbia. Në kuadër të modulit të parë të Akademisë, përmes drejtimit të trajnerëve profesionistë, pjesëmarrësit mësuan se si të zhvillojnë më mirë modelin e tyre të biznesit, planin e marketingut dhe atë financiar, të përmirësojnë shërbimet dhe aftësitë e tyre menaxhuese dhe të ndërtojnë një kulturë më pjesëmarrëse në ndërmarrjet e tyre. Pas përfundimit të modulit, ekipet morën edhe detyra praktike të përshtatura me nevojat dhe potencialet e tyre specifike, të cilat duhet t’i kryejnë deri në fillim të modulit të ardhshëm. Trajnerët e modulit të parë ishin Vlatko Danilov, Millosh Antiq dhe Tanja Bjelanoviq.
Ajo që binte më shumë në sy në këtë ngjarje ishte energjia veçanërisht e bukur që rridhte vazhdimisht mes pjesëmarrësve, aktiviteti dhe dëshira e tyre për të mësuar sa më shumë. Përskaj gjithë këtyre gjërave të mrekullueshme, këto 3 ditë vazhdimisht qarkullonte një histori e bukur. Gjegjësisht, një nga ekipet konkurruese mori një çmim simbolik, por në të njëjtën kohë mjaft domethënës për të gjithë ne që jemi të përfshirë në këtë projekt dhe në sipërmarrjen sociale në përgjithësi dhe një nga detyrat tona parësore është promovimi i ndërmarrjeve sociale nga rajoni ndërkufitar tek ne dhe në Serbi. Bëhet fjalë për verën “ARNO”, e cila mban emrin e organizatës sonë, e prodhuar nga rrushi maqedonas nga tri vajza të reja dhe ambicioze nga Vranja e Serbisë, me mbështetjen e prindërve të tyre. Vera që arritën të bëjnë këto tri vajza është brend i këtij qyteti, i cili përfaqëson, në të gjithë botën, në mënyrën më të mirë jugun e Serbisë dhe merr çmime për cilësi në të gjithë botën.
“Kjo histori ishte mjaft interesante për të gjithë ne, sepse qëllimi i projektit është zhvillimi i një shoqërie më gjithëpërfshirëse duke forcuar ndërmarrjet sociale në rajonin ndërkufitar me Serbinë dhe duke inkurajuar bashkëpunimin e tyre ndërkufitar”, tha koordinatorja e projektit Jasmina Said nga ARNO.
Projekti “Ndërmarrjet sociale për zhvillim ekonomik dhe përfshirje sociale” zbatohet në partneritet me shoqatat “ARNO” nga Maqedonia e Veriut, Optimist nga Republika e Serbisë dhe Fondacioni Trag (koordinator), financuar nga Bashkimi Evropian përmes Sektorit për kontraktim dhe financim të programeve nga fondet e BE-së të Ministrisë së Financave të Republikës së Serbisë (programi IPA 2 për bashkëpunim ndërkufitar Republika e Serbisë-Maqedonia e Veriut 2016-2020).